Me mbështetje zvicerane përmirësohen kushtet për sport dhe rekreacion të më të rinjve në Koçanë dhe Strugë

Më 29 dhe 30 qershor në Koçanë dhe Strugë u mbajtën sesionet pasuese të Forumeve në bashkësi, ku u prezantuan projektet e realizuara që u zgjodhën nga qytetarët përmes Forumeve në bashkësi, të cilat u implementuan në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”.

Përmes procesit të Forumeve në bashkësi dhe pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve të komunës së Koçanit, u realizua një projekt me të cilin u bë rikonstruksioni i plotë i terrenit të lojërave sportive në shkollën fillore “Malina Popivanova”.

Me këtë ndërhyrje u rinovuan plotësisht tre terrene sportive (2 terrene të vogla multifunksionale dhe 1 fushë e madhe futbolli), oborri, shtigjet dhe hapësira përreth shkollës, e po ashtu u vendosën edhe dy tavolina të rrumbullakëta me ombrellë dhe një amfiteatër, me të cilat u përmirësuan kushtet për socializimin dhe përfshirjen (inkluzionin) e nxënësve të kësaj komune.

Ndërsa në sesionin e forumit në Strugë, u prezantua terreni i ri me lojëra për fëmijë në shkollën fillore “Vëllezërit Milladinovi”.

Përveç rregullimit hortikulturor të hapësirës, terreni i ri i lojërave ka pajisje dhe rekuizite të përshtatshme për sport dhe rekreacion të dedikuara për më të rinjtë, si dhe pajisje adekuate mbrojtëse, me çka u siguruan kushte për zhvillimin e aftësive sociale dhe fizike të nxënësve të kësaj shkolle.

Realizimi i këtyre projekteve në Koçanë dhe Strugë u bë i mundur përmes një granti nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në vlerë prej 50,000 frangash zvicerane për secilën komunë, dhe ato u implementuan nga ana e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara – UNDP, në partneritet me komunat.

Në sesionet pasuese të forumeve, përveç projekteve implementuara, u prezantuan edhe aktivitetet e ndërmarra nga komunat për implementimin e disa prej projekteve të tjera dhe rekomandimet e dhëna nga ana e qytetarëve gjatë procesit të forumit.

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë,” i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe zbatohet nga UNDP-ja në bashkëpunim me partnerët lokalë, gjithsej 1.2 milion franga zvicerane janë ndarë për grante që kanë për qëllim realizimin e iniciativave prioritare në të gjitha 24 komunat që marrin pjesë në projekt.