Këshilltarët komunal diskutuan dhe dhanë rekomandime për tejkalimin e sfidave që lidhen me objektet e ndërtuara në mënyrë të paligjshme

Në kuadër të projektit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”, që zbatohet nga UNDP-ja, më 29 qershor në Shkup u mbajt një takim pune i Grupit tematik i punës për urbanizëm dhe planifikim hapësinor. Në takimin e iniciuar nga UNDP-ja dhe BNJVL-ja, morën pjesë më shumë se 20 Kryetarë/e të Këshillave Komunalë dhe Kryetarë/e të Komisioneve për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor.

I moderuar nga një eksperte nga fusha e urbanizmit, në takimin e punës u nënvizua roli kyç i vetëqeverisjes lokale në përmbushjen e koncepteve themelore të hapësirës publike, por edhe në kapërcimin e sfidave në lidhje me objektet e ndërtuara në mënyrë të paligjshme në territoret e komunave.

Pikërisht në lidhje me përcaktimin e statusit të objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, e me qëllim të kapërcimit të sfidave aktuale, nga diskutimi midis këshilltarëve komunalë  u veçuan rekomandimet e mëposhtme:

  • Të ketë një përfaqësues nga komuna në Komisionin për inspektimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, të paraparë me Ligjin për Përcaktimin e Statusit të Objekteve të Ndërtuara në Mënyrë të Paligjshme;

  • Dispozitat e reja ligjore duhet t’i referohen vetëm një kategorie të caktuar sociale të pronarëve të objektet të paligjshme;

  • Çdo rast i një objekti të paligjshëm duhet të trajtohet individualisht për të shmangur çdo keqpërdorim të mundshëm;

  • Të forcohet mekanizmi i kontrolleve dhe parandalimi i ndërtimit të objekteve të paligjshme;

  • Të stimulohet krijimin e mbajtësve të rendit komunalë;

  • Të informohet publiku dhe të zhvillohen fushata më intensive për ngritjen e vetëdijes tek qytetarët;

  • Kompetenca më të mëdha për vetëqeverisjen lokale në përgatitjen e planeve të detajuara dhe të përgjithshme urbanistike (DPU dhe PPU);

  • Nxitje financiare për profesionistët në këtë fushë që janë të punësuar në komuna;

  • Mbështetje më e madhe për komunat dhe lobim nga BNJVL-ja në marrjen e vendimeve të rëndësishme nga pushteti qendror që ndikojnë drejtpërdrejt në punën e vetëqeverisjeve lokale.

Grupi tematik i punës për urbanizëm dhe planifikimin hapësinor është pjesë e shtatë grupeve tematike të këshilltarëve komunalë të krijuara në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”.