Në Gostivar u prezantua qendra e re sportive dhe rekreative në kejin e lumit Vardar

Më 11 qershor në Gostivar u mbajt sesioni pasues i forumit në bashkësi për prezantimin e rezultateve të procesit të forumit dhe realizimin e projektit prioritar të qytetarëve “Ndërtimi i qendrës sportive dhe rekreative në kejin e lumit Vardar”. Në këtë sesion morën pjesë rreth dyzet përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe komunës.

Gjatë disa muajve të kaluar, Komuna e Gostivarit, në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”, përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në disa sesione të forumeve dhe punëtori, i dhanë prioritet dhe e zhvilluan këtë projekt, i cili më pas u implementua në partneritet me Komunën e Gostivarit dhe Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara – UNDP.

Me këtë projekt është bërë rikonstruksion i plotë, përshtatje dhe pajisje e një pjese të kejit të lumit Vardar, që sot përdoret si një vend kryesor për sport dhe rekreacion për shumë banorë të qytetit dhe më gjerë.

Në kuadër të projektit janë ndërtuar shtigje të reja dhe sipërfaqe për sport dhe rekreacion me pajisje dhe rekuizite të posaçme, duke përfshirë edhe për personat me aftësi të kufizuara. Është instaluar ndriçim i ri, janë vendosur kosha për mbeturinat dhe ulëse të reja në të gjithë parkun, si dhe është bërë rregullimi hortikulturor i hapësirës.

Buxheti i përgjithshëm i projektit është 13.3 milion denarë, nga të cilat 2.7 milion denarë janë donacion i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC, të realizuar përmes projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”, që implementohet nga UNDP-ja në partneritet me Komunën e Gostivarit.