U realizuan projektet e para të përzgjedhura përmes Forumeve në bashkësi në komunat e Vallandovës dhe Sveti Nikoles

Shkollat e Vallandovës “Goce Dellçev”, “Strasho Pinxhur” dhe “Josip Broz Tito” fituan laboratorë të rinj kompjuterikë dhe medie të shkollës, ndërsa çerdhja “Rahillka Goneva” në Sveti Nikole fitoi çati të re dhe dyer dhe dritare PVC përmes projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”, të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe të implementuar nga UNDP-ja në bashkëpunim me 24 komuna.

Projektet filluan përmes një serie Forumesh në bashkësi, me pjesëmarrjen e mbi 700 banorëve në të dy komunat, ku këto projekte u propozuan dhe u zgjodhën si më prioritare nga pjesëmarrësit e forumit. Të dy projektet u mbështetën financiarisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim me nga 2.7 milion denarë secili, ndërsa komuna e Sveti Nikoles me 870 mijë denarë të tjera mori pjesë në rinovimin e çerdhes së fëmijëve “Rahillka Goneva”.

“Sot jemi në vizitë në çerdhen e fëmijëve “Rahillka Goneva”, e cila u rikonstruua si pjesë e projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”, me ç’rast u vendos çati e re, si dhe dyer dhe dritare të reja, me qëllim të rritjes së efikasitetit energjetik të ndërtesës, ndërsa njëkohësisht, u përgatitën kushtet për instalimin e pajisjeve në dhomën (ekzistuese) me sensorë. Me këtë rikonstruim u siguruan kushte më të mira për 450 fëmijë, 30 të punësuar dhe 20 persona që janë pjesë e qendrës për persona me aftësi të kufizuara, e cila është e vendosur në çerdhen e fëmijëve. Ky objekti nuk është rinovuar që nga hapja e tij në vitin 1982 dhe ishte në gjendje të mjerueshme, me ç’rast kur kishe edhe reshje minimale, uji rridhte nga çatia, ndërsa dritaret ishin në një gjendje edhe më të keqe – situatë kjo që ishte jashtëzakonisht e pasigurt për fëmijët që qëndrojnë në qëndrimin ditor në çerdhe”, deklaroi Sasho Vellkovski, kryetar i komunës së Sveti Nikoles.

Me 3.36 milion franga, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim e mbështet fuqizimin e këshillave komunalë në 24 komuna anembanë vendit, si organe kryesore për zhvillimin e demokracisë pjesëmarrëse dhe për punën transparente dhe të përgjegjshme të komunave.

“Zbatimi i këtij projekti ka një rëndësi të madhe për komunën e Vallandovës, e po ashtu edhe për cilësinë e procesit arsimor në shkollat e komunës. U jemi veçanërisht mirënjohës Ambasadës Zvicerane dhe UNDP-së, përmes të cilave u realizuan projektet “Fuqizimi i Këshillave Komunalë” dhe “Laboratori i TIK-ut me pajisje adekuate harduerike dhe softuerike, si dhe medie e shkollës”. Jemi mirënjohës me gjithë zemër për përkrahjen dhe shpresojmë të realizojmë edhe shumë projekte të përbashkëta që do të kontribuojnë për demokraci më të madhe, përgjegjësi më të madhe dhe shoqëri më transparente”, tha Pero Kostadinov, kryetar i Komunës së Vallandovës.

“Vitet e fundit kemi ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve komunale anembanë vendit në fushën e arsimit, mjedisit jetësor, kulturës, furnizimit me ujë, shërbimeve komunale dhe planifikimit urban”, deklaroi ambasadorja e Zvicrës, Sibel Zuter Tehada, gjatë vizitës së saj në Vallandovë. Në fjalën e saj, ajo vuri në dukje se “projekti Fuqizimi i Këshillave Komunalë do të japë një kontribut të rëndësishëm në hapjen e institucioneve, gjë që do të rrisë besimin e qytetarëve ndaj përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. Gjithashtu, përmes Forumeve në bashkësi, procesi i buxhetimit në nivelin lokal do të fitojë një legjitimitet dhe besim më të madh nga qytetarët”.

Projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim “Fuqizimi i Këshillave Komunalë” zbatohet nga Programin për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara (UNDP), në përputhje me Qëllimet globale për zhvillim të qëndrueshëm të vendosura nga Kombet e Bashkuara dhe prioritetet e këtij Programi në vend, në mesin e të cilave është edhe fuqizimi i zhvillimit dhe vetëqeverisjes lokale.

“Puna jonë në Maqedoninë e Veriut është në përputhje me përpjekjet globale të UNDP-së për t’u ndihmuar vendeve të krijojnë institucione demokratike, të forta, të qëndrueshme dhe transparente në nivel qendror dhe lokal. Kjo do të na çojë një hap më afër arritjes së Qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm të vendosura nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara për vitin 2030” – shtoi Narine Sahakyan, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së.

Projekti zbatohet në 24 komuna, në partneritet me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, Ministrinë e Financave, BNJVL-në, Shoqatën e Punëtorëve Financiarë dhe Organin e KB-ve për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women). Përmes projektit deri më tani janë realizuar një sërë aktivitetesh për ta forcuar kapacitetin e këshilltarëve dhe për rrjetëzimin e tyre, të tilla si rritja e transparencës dhe e llogaridhënies, dhe pjesëmarrja qytetare në marrjen e vendimeve në nivel lokal.

Deri më tani janë mbajtur 60 seanca të forumeve në kuadër të 15 proceseve të forumit anembanë vendit, ku morën pjesë mbi 4,000 qytetarë, banorë të komunave të përzgjedhura, ndërsa në 9 komuna të përfshira rishtas, proceset e forumit do të fillojnë në mars.                                                                                                

Zvicra e ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në tranzicionin e saj politik, shoqëror dhe ekonomik që nga viti 1992. Kjo mbështetje realizohet përmes forcimit të institucioneve dhe praktikave demokratike, promovimit të rritjes inkluzive ekonomike dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe burimeve natyrore. Zvicra shton vlerë përmes ekspertizës, financimit dhe angazhimit konstruktiv me partnerët afatgjatë në Maqedoninë e Veriut. Sot, Zvicra është një nga partnerët më të bilateralë të Maqedonisë së Veriut dhe mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.