Përmes Forumeve në bashkësi, në Gjorce Petrov ndriçohen rrugët për në shkolla, ndërsa në Krushevë pajiset plotësisht salla shumëfunksionale

Më 5 korrik, në sesionet e forumeve të mbajtura në Gjorçe Petrov dhe Krushevë, para qytetarëve të këtyre komunave u prezantuan projektet e realizuara që u zgjodhën përmes Forumeve në bashkësi, të cilat u implementuan në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”.

Përmes procesit të Forumeve në bashkësi dhe pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve të Komunës së Gjorçe Petrovit, u realizua projekti “Me mobilitet deri në inkluzion përmes rrugëve të ndriçuara në mënyrë të sigurt”, me të cilin u sigurua qasje e sigurt në institucionet edukativo-arsimore publike në komunë.

Në kuadër të kësaj iniciative, hyrjet dhe daljet e gjashtë shkollave fillore komunale dhe dy objekteve të çerdhes për fëmijë “Rosica” janë ndriçuar në mënyrë të sigurt. Janë ndriçuar rrugë në gjatësi prej 1.200 metrash, e po ashtu janë 71 shtylla për drita rrugore dhe 92 llamba.

Në sesionin e forumit në Krushevë, u prezantua realizimi i projektit “Pajisja e sallës shumëfunksionale në Komunën e Krushevës”.

Për ta sjellë kulturën më pranë të gjithë qytetarëve të Komunës së Krushevës dhe për të prezantuar përmbajtje të reja kulturore që do të kontribuojë në ndërtimin e një kulture gjithëpërfshirëse (inkluzive) dhe për tërheqjen e më shumë turistëve gjatë gjithë vitit, përmes këtij projekti u pajis plotësisht salla shumëfunksionale për projektime të filmave dhe shfaqje teatrore, por edhe për mbajtjen e takimeve, ligjëratave, prezantimeve, shfaqjeve etj.

Konkretisht, përmes këtij projekti, salla shumëfunksionale u pajis me karrige auditori, perde akustike, projektor, kanavacë, sistem projeksioni, sistem audio të zërimit, si dhe një ashensor që lëviz nëpër shkallë për bartjen e personave me aftësi të kufizuara.

Realizimi i këtyre projekteve në Gjorce Petrov dhe Krushevë u bë i mundur përmes një granti nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në vlerë prej 50,000 frangash zvicerane për secilën komunë, dhe ato u implementuan nga ana e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara – UNDP, në partneritet me komunat.

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë,” i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe zbatohet nga UNDP-ja në bashkëpunim me partnerët lokalë, gjithsej 1.2 milion franga zvicerane janë ndarë për grante që kanë për qëllim realizimin e iniciativave prioritare në të gjitha 24 komunat që marrin pjesë në projekt.