Përmirësohen kushtet për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe organizatat rinore në Komunën Qendër

Në sesionin pasues të Forumeve në bashkësi që u organizua më 1 korrik në komunën Qendër, u prezantuan projektet e realizuara që u zgjodhën nga qytetarët përmes Forumeve në bashkësi, të cilat u implementuan në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”.

Në periudhën e kaluar, përmes procesit të Forumeve në bashkësi dhe pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve të Komunës Qendër, u realizua një projekt me të cilin në çerdhet “Koço Racin”, “13 Nëntori” dhe “R.J. Korçagin” u përmirësuan kushtet për përfshirje (inkluzion) sociale, përmes ndërtimit të dhomave me sensorë për zhvillimin e aftësive motorike tek fëmijët me aftësi të kufizuara shqisore.

Përveç kësaj, me një pjesë të grantit të marrë nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, por edhe me bashkë-financim nga komuna, ish-njësia rajonale për udhëheqjen e librave amë u adaptua në një Qendër Rinore, e cila në të ardhmen do të jetë shtëpi e organizatave të shumta rinore dhe do të shërbejë për edukim, debat dhe socializim të të rinjve nga kjo pjesë e qytetit.

Qendra rinore “Matiçno” ka një sallë të madhe konferencash, e cila do të përdoret për ngjarje edukative, kulturore dhe argëtuese. Qendra ka gjithashtu një sallë leximi, si dhe një dhomë relaksimi (chill zone) e cila është e pajisur me përmbajtje të ndryshme për socializim dhe edukim. Hapësira e Qendrës rinore është dizajnuar në përputhje me standardet evropiane dhe është plotësisht përfshirëse (inkluzive), duke siguruar qasje për personat me aftësi të kufizuara.

Realizimi i këtyre projekteve në Qendër u bë i mundur përmes një granti nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në vlerë prej 50,000 frangash zvicerane për secilën komunë, dhe ato u implementuan nga ana e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara – UNDP, në partneritet me komunat.

Në sesionet pasuese të forumeve, përveç projekteve implementuara, u prezantuan edhe aktivitetet e ndërmarra nga komunat për implementimin e disa prej projekteve të tjera dhe rekomandimet e dhëna nga ana e qytetarëve gjatë procesit të forumit.

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë,” i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe zbatohet nga UNDP-ja në bashkëpunim me partnerët lokalë, gjithsej 1.2 milion franga zvicerane janë ndarë për grante që kanë për qëllim realizimin e iniciativave prioritare në të gjitha 24 komunat që marrin pjesë në projekt.