Çerdhja e fëmijëve “23 Gushti” në Berovë fitoi katër klasa aktivitetesh për fëmijë

Në sesionin pasues të Forumeve në bashkësi që u organizua më 9 korrik në komunën е Berovës, u prezantua realizimi i projektit që u zgjodh nga qytetarët përmes Forumeve në bashkësi, të cilat u organizuan në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”.

Në periudhën e kaluar, përmes katër sesioneve të forumit, qytetarët e komunës së Berovës i dhanë prioritet dhe e përzgjodhën projektin “Fëmijët janë e ardhmja jonë”, me të cilin u ndërtuan katër klasa të reja aktivitetesh për fëmijë që janë të përkujdesur në kopshtin “23 Gushti”.

Përmes rregullimit të brendshëm dhe pajisjes së klasave për aktivitete të çerdhjes së fëmijëve, janë përmirësuar kushtet për kujdesin, qëndrimin, ushqimin dhe edukimin e më shumë se 150 fëmijëve parashkollorë që shkojnë në këtë çerdhe.

Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 4.453.419,00 denarë, nga të cilat 2.699.495,00 janë siguruar përmes projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë” ndërsa pjesa tjetër prej 1. 695.730,00 denarë janë siguruar nga Buxheti i Komunës së Berovës.

Në sesionin e forumit mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Berovës, Zvonko Pekevski, i cili i falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në procesin e forumit dhe që kontribuan në realizimin e këtij projekti. Siç theksoi ai, ky është një fillim i ri i demokracisë lokale, ku forumet janë një mjet shumë i rëndësishëm për pjesëmarrjen e qytetarëve në krijimin e politikave lokale.

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë,” i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe zbatohet nga UNDP-ja në bashkëpunim me partnerët lokalë, gjithsej 1.2 milion franga zvicerane janë ndarë për grante që kanë për qëllim realizimin e iniciativave prioritare në të gjitha 24 komunat që marrin pjesë në projekt.