MBI NJË MILION FRANGA ZVICERANE PËR FUQIZIMIN E DEMOKRACISË LOKALE NË 18 KOMUNA

Shkup, 17 dhjetor 2019 – Në kuadër të projektit për fuqizimin e këshillave komunale, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me 18 komuna:  komunën Qendër, Kumanovën, Bërvenicën, Zhelinën, Gostivarin, Strugën, Koçanën, Kavadarin, Mogillën, Gjorçe Petrovin, Tetovën, Krushevën, Vevçani, Zërnovcin, Çashkën, Bogdancin, Manastirin dhe Berovën.
Përmes këtij projekti, të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, këshilltarët e këtyre komunave marrin trajnime dhe mbështetje për planifikimin dhe shpenzimin e buxheteve komunale në përputhje me pritjet e qytetarëve, ndërsa secila komunë do të marrë një grant prej 50,000 frangash zvicerane për projekte prioritare, të cilat do t’i zgjedhin qytetarët përmes Forumeve në Bashkësi.
“Projekti është gjithëpërfshirës sepse përfshin ngritjen e kapaciteteve, mbështetje financiare dhe rrjetëzimin e këshilltarëve, me qëllim që të arrihet ndryshim sistemor në këshillat komunalë,” tha përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Narine Sahakyan. “Në këtë mënyrë këshillat komunalë do të bëhen më efikas dhe do të jenë në gjendje të përballen me ndikimet e pushtetit ekzekutiv në mënyrë më të pavarur duke i përmbushur rolet e tyre të vendimmarrjes, mbikëqyrjes dhe përfaqësimit”, shtoi Sahakyan.
“Jemi të kënaqur nga partneriteti me UNDP-në në përpjekjet për ta forcuar rolin e këshillave komunalë dhe për t’u siguruar atyre trajnime adekuate, mundësi për rrjetëzim dhe bashkëpunim profesional, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, deklaroi ambasadorja zvicerane, Sibil Suter Tehada.

Përveç trajnimit për këshilltarët dhe grantit prej 50,000 frangave zvicerane, secila komunë do të marrë edhe një grant prej 12,000 frangash zvicerane për të zbatuar zgjidhje inovative të TI-së për ta rritur transparencën dhe llogaridhënien e komunave, si dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjen lokale.
“Politika e qeverisë për ta përmirësuar sistemin e vetëqeverisjes lokale është e qartë, ndërsa në gjashtë muajt e fundit, me aktivitetet për thellimin e procesit të decentralizimit, ajo ka qenë edhe shumë aktuale. Qëllimi përfundimtar është që komunat të jenë të qëndrueshme, efektive dhe efikase, në shërbim të qytetarëve, që në fakt është edhe qëllimi i këtij projekti. Punë transparente dhe llogaridhënëse që gjithmonë do ta ketë qytetarin në qendër të vëmendjes”, tha zëvendësministri i vetëqeverisjes lokale, Dejan Pavleski.
“Projekti ofron mbështetje të vazhdueshme për punën e Komisionit për monitorimin e zhvillimit të sistemit të financimit komunal me përgatitjen e raporteve gjysmë-vjetore dhe vjetore për punën financiare të komunave, përmes të cilave ndiqet përparimi i decentralizimit financiar”, deklaroi Shirete Elezi, zëvendësministre e financave.

Që nga viti 2017 e deri tani, në këtë program janë përfshirë gjithsej 24 komuna. Në Veles, Sveti Nikole, Çair, Ohër, Strumicë dhe Vallandovë tashmë janë duke u realizuar projekte për t’i përmirësuar shërbimet sociale për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve në këto komuna.
Projekti me vlerë 3.4 milion franga zvicerane, është i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ndërsa zbatohet nga UNDP-ja në partneritet me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, Ministrinë e Financave, Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Shoqatën e Punëtorëve Financiarë dhe UN Women.