Mbështetje e fuqishme midis njësive të vetëqeverisjes lokale për Projektin “Përforcimi i këshillave komunalë”

Nga data 17 deri më datë 19 Shkurt, në Hotel “Sirius”, në Strumicë, u mbajt punëtori për Projektin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim: “Përforcimi i këshillave komunalë”.

Në prezencë të kryetarëve të këshillave komunalë dhe në partneritet me BNJVL, ekipi i Projektit të UNDP mbajti tre prezantime për komponentët kryesorë të Projektit, të cilët duhet ta mundësojnë realizimin e lidhjes vitale të llogaridhënies midis këshilltarëve dhe qytetarëve, e cila çon në drejtim të përmirësimit të demokracisë lokale dhe vetëqeverisjes lokale si tërësi.

Prezantimi i parë kishte të bëjë me rrjetëzimin e këshilltarëve komunalë, me ç’rast si njëri nga mekanizmat që do të përdoret për nevojat e Projektit Zviceran, u prezantua e-Platforma për nxënie. Platforma për nxënie do të sigurojë qasje deri te përmbajtjet bazike dhe të thella për trajnim, si dhe materialet relevante, informatat për ngjarjet rrjedhëse dhe të dhënat relevante me interes për këshilltarët.

Njëkohësisht, në kuadër të e-Platformës për nxënie do të administrohet edhe forumi për shkëmbimin e informacioneve, të dhënave, opinioneve dhe komunikimit midis këshilltarëve.Në vazhdim u prezantua edhe propozim-programi për zhvillimin e kapaciteteve të këshilltarëve komunalë.

Në këtë program janë integruar temat prioritare për trajnim dhe sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen këshilltarët, siç janë: procedurat financiare, roli i këshilltarëve lidhur me çështjet fiskale të punës së komunave, nevoja për t’i kuptuar më në thelb çështjet buxhetore.

Projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, përveç më shumë moduleve të trajnimeve, të fokusuara në çështjet kryesore që kanë të bëjnë me punën buxhetore dhe financiare të komunave, padyshim do ta fuqizojë kapacitetin e këshilltarëve për kryerjen e funksionit të tyre në sistemin e vetëqeverisjes lokale.

Interesim të konsiderueshëm tek kryetarët e këshillave komunalë zgjoi edhe prezantimi i tretë, lidhur me aplikimin e qasjeve inovative për funksionim më efektiv dhe më efikas të këshillave komunalë. Në këtë drejtim, Projekti i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim do të përmbajë një sërë masash inovative, si për shembull, idenë e implementimit të monitorimit të shërbimeve lokale në kohë reale nga ana e qytetarëve.

Të gjitha prezantimet e realizuara në Strumicë u ndoqën me diskutime aktive të pjesëmarrësve, e që gjithsesi se krijoi mundësi për përshtatje përkatëse të intervenimeve sipas nevojave të këshilltarëve komunalë dhe palëve të tjera të interesuara, si dhe të shfrytëzuesve.