Punëtori – Buxhete të përgjegjshme gjinore përmes praktikave të mira gjatë pandemisë

SHKUP – Në kuadër të projektit të Ambasadës Zvicerane në Maqedoninë e Veriut, “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”, që zbatohet nga UNDP-ja, më 5 nëntor u organizua një punëtori virtuale në temën “Planifikimi i buxheteve të përgjegjshme gjinore për vitin 2021”. Punëtoria e iniciuar nga UNDP-ja, BNJVL-ja, “UN Women” kishte mbi 30 pjesëmarrës me përfaqësues nga mbi 20 komuna (Kryesues/e të këshillave dhe të Komisioneve për Mundësi të Barabarta dhe koordinatorë/e për mundësi të barabarta). Kjo punëtori iu përgjigj nevojave të komunave në përgatitjen e buxheteve për vitin 2021, veçanërisht duke pasur parasysh situatën se në një numër të madh të komunave, për shkak të pandemisë së Kovid-19, nuk u realizuan aktivitetet e planifikuara për avancimin e barazisë gjinore. Në të njëjtën kohë, ekzistojnë përvoja pozitive të planifikimit të zbatimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGj) në krijimin e masave gjatë kohës së krizës, e po ashtu u prezantuan edhe shembuj nga dy komuna, të cilat mund t’i shfrytëzojnë dhe t’i përshtatin me kushtet e tyre edhe komunat e tjera.

U prezantuan gjetjet nga Hartëzimi i ndikimit të KOVID-19 në situatën socio-ekonomike të grave në nivelin lokal dhe Studimi mbi ndikimin e Kovid-19 mbi gratë në RMV nga “UN Women”. Disa nga çështjet më të rëndësishme ishin se si të sigurohet që buxheti i vitit 2021 të jetë i përgjegjshëm në aspekt gjinor dhe cilat mjete janë në dispozicion për t’i përshtatur aktivitetet e planifikuara. Gjithashtu u theksua nevoja për të përdorur të gjitha burimet që janë në dispozicion, duke i përfshirë Komisionet për Mundësi të Barabarta dhe koordinatorët/et për mundësi të barabarta.

Pjesëmarrësit shprehën kënaqësinë dhe mirënjohjen për takimin jashtëzakonisht të dobishëm, me qëllim të forcimit të kapaciteteve të vetëqeverisjes lokale në planifikimin e buxheteve të përgjegjshme gjinore për vitin 2021. Konkluzionet e takimit ishin si më poshtë:

  • Buxhetet vjetore të vetëqeverisjes lokale duhet të jenë të përgjegjshme gjinore, dhe ky proces është i mundur vetëm përmes përfshirjes aktive të Komisioneve për Mundësi të Barabarta dhe koordinatorëve/eve për mundësi të barabarta.

  • Pandemia i ka intensifikuar pabarazitë dhe kriza ndikon ndryshe tek gratë dhe burrat. Gratë janë më të ekspozuara ndaj pasojave të krizës shëndetësore, veçanërisht në punën e papaguar, ku gratë e marrin barrën më të madhe. Kjo duhet të merret parasysh gjatë planifikimit të masave për përballjen me pandeminë.

  • Praktikat e mira të disa komunave në aplikimin e masave të ndjeshme gjinore për t’u përballë me pandeminë janë nxitje për komunat e tjera për t’i zbatuar dhe përshtatur ato me kushtet e tyre.

Projekti “Fuqizimi i Këshillave Komunalë” bashkëpunon drejtpërdrejt me 24 komuna, në partneritet me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, Ministrinë e Financave, BNJVL-në, Shoqatën e Punëtorëve Financiarë dhe Organin e KB-ve për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women). Përmes projektit deri më tani janë realizuar një sërë aktivitetesh për ta forcuar kapacitetin e këshilltarëve dhe për rrjetëzimin e tyre, të tilla si rritja e transparencës dhe pjesëmarrja qytetare e komunave. Në këtë kontekst, deri më tani janë mbajtur 60 seanca të forumeve në kuadër të 15 proceseve të forumit, në të cilat morën pjesë mbi 4.000 qytetarë, banorë të komunave të përzgjedhura. Ky proces deri më tani ka rezultuar me gjashtë projekte të zbatuara për zhvillim lokal, ndërsa në vitin 2020 do të implementohen edhe 18 projekte të tjera të ngjashme në po aq komuna.

Zvicra e ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në tranzicionin e saj politik, shoqëror dhe ekonomik që nga viti 1992. Qëllimi aktual i programit zviceran në vend është të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duke i forcuar institucionet dhe praktikat demokratike, duke promovuar rritjen ekonomike inkluzive dhe mbrojtjen e burimeve natyrore. Zvicra shton vlerë përmes ekspertizës, financimit dhe angazhimit konstruktiv me partnerët afatgjatë në Maqedoninë e Veriut. Sot, Zvicra është një nga partnerët më të bilateralë të Maqedonisë së Veriut dhe mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.