U promovua projekti “Fuqizimi i këshillave komunalë”

Sot, para këshilltarëve të komunave u promovua projekti i ri “Forcimi i këshillave komunale”, i financuar nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim.
Në katër vitet e ardhshme, projekti me vlerë 3.4 milionë franga zvicerane do të zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Ministrinë e vetëqeverisjes lokale dhe Bashkësinë e njësive të administrimit lokal.
Qëllimi i këtij projekti është përkrahja e sistemit të përgjegjshëm dhe transparent të qeverisjes lokale në të cilën përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike punojnë bashkërisht dhe në mënyrë efektive për të përcaktuar prioritetet zhvillimore në përputhje me nevojat e qytetarëve.
Në fjalën e rastit, ministrja e Vetëqeverisjes lokale, Shiret Elezi tha se forcimi i kapaciteteve të këshillave do ta avancojë procesin e vendim-marrjes transparente dhe gjithëpërfshirëse, që është parakusht për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm të qeverisjes lokale.
“Puna e këshillave është reflektim i suksesshëm i procesit të decentralizimit por edhe i kapacitetit demokratik për zgjidhjen e çështjeve me interes për qytetarët” – tha ministrja Elezi.
Ambasadorja zvicerane Sybille Suter Tejada theksoi se me këtë projekt vazhdon mbështetja aktive e procesit të decentralizimit.
“Me këtë projekt ne duam të mbështesim këshillat komunale për t’u bërë më të mirë në kryerjen e rolit të tyre përfaqësues dhe të kontrollit. Transparencë dhe llogaridhënie më të madhe duke krijuar kështu kushte më të mira për biznes dhe të ardhme të qëndrueshme për të gjithë qytetarët ” tha Ambasadorja Tejada.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP, Louisa Vinton, tha se ky projekt është vazhdimësi e mbështetjes afatgjate që UNDP e ofron në procesin e decentralizimit dhe krijimin e institucioneve të forta lokale dhe rajonale.
“Projekti është frymëzuar nga parimi themelor demokratik që shteti dhe institucionet e saj duhet të jenë të përgjegjshëm ndaj qytetarëve.”
Kryetari i Komitetit të këshillave, Trajçe Donev tha se forcimi i kapaciteteve do të zbatohet me metodologji tradicionale dhe inovative.
“Projekti do të ofrojë asistencë teknike për krijimin e rrjeteve të këshilltarëve rreth interesave të përbashkëta për përmirësimin e kushteve të punës dhe ushtrimin e plotë të pozitës së këshillave në sistemin e vetëqeverisjes lokale”, tha Donev.