Trajnim për këshilltarët komunal për menaxhimin me buxhetin dhe tatimet lokale në kohë të pandemisë

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë” të ambasadës zvicerane në Maqedoninë e Veriut, që implementohet nga UNDP-ja, u organizua një trajnim virtual me temë “Forcimi i kapaciteteve të këshillave komunalë për buxhetimin dhe menaxhimin e tatimeve lokale në kohë pandemie”. Në trajnimin e iniciuar nga UNDP-ja, BNJVL-ja dhe Shoqata e Punëtorëve Financiarë, u mblodhën 30 pjesëmarrës dhe përfaqësues nga 15 komuna për ta diskutuar uljen e vazhdueshme të aktivitetit ekonomik pas shpërthimit të sëmundjes COVID19, pas të cilit shumë komuna përballen me ulje të të ardhurave, ndërsa kërkesat e qytetarëve për shërbime lokale janë rritur.

Pjesëmarrësit diskutuan se si të forcohet gjendja e buxheteve komunale dhe i ndanë praktikat më të mira për rishpërndarjen e buxhetit për t’u përballur në mënyrë sa më efektive me pasojat socio-ekonomike të kësaj sëmundjeje. Si rezultat i këtij diskutimi u nxorën përfundimet e mëposhtme:

  • Projekti të vazhdojë të ofrojë mbështetje ekspertësh për këshillat komunalë në ushtrimin e përgjegjësive të tyre në fushën e financave publike lokale në kohë pandemie;

  • Negociatat ndërmjet përfaqësuesve të pushtetit qendror dhe atij lokal të iniciohen përpara se të fillojë procesi i buxhetimit për vitin 2021, me qëllim që të diskutohen sfidat dhe nevojat e komunave dhe për t’i konstatuar së bashku opsionet më të mira;

  • Komunat inkurajohen t’i përdorin mjetet e TI-së që i kanë në dispozicion, si dhe mjete të reja të TI-së për të bashkëvepruar me qytetarët në procesin e përgatitjes së buxhetit për vitin 2021, si dhe për ofrimin e shërbimeve lokale, duke përfshirë edhe dhënien e fletëparaqitjeve tatimore.

Grupi tematik i punës për financimin dhe buxhetimin lokal është pjesë e shtatë grupeve tematike të këshilltarëve komunalë që janë formuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”.