Fuqizimi i këshillave të komunave: Një fillim i ri për demokracinë lokale

Më shumë se 70 kryetarë të rinj të këshillave komunalë morën pjesë në forumin “Fuqizimi i këshillave të komunave: Një fillim i ri për demokracinë lokale”, të zhvilluar më 12-13 dhjetor në Strugë. Qëllimi i këtij forumi, të organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ishte të nxiste diskutimin midis kryetarëve të këshillave lidhur me prioritetet dhe nevojat që nga fillimi i mandatit të tyre.

DSC_0281

Në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor 2017 në shumicën e komunave, u zgjodhën kryetarë të rinj dhe këshilla komunale me këshilltarë të rinj.  Gati se për të gjithë kjo është hera e parë në këtë cilësi. Këto ndryshime paraqesin sfida, por edhe mundësi të reja në nivel lokal.

Përfaqësuesit e rinj të zgjedhur duhet të kuptojnë përgjegjësinë e tyre në raport me zgjedhësit e tyre, andaj duhet të zhvillojnë shkathtësi të reja, që do t’iu ndihmojnë ta përmbushin rolin e tyre, veçanërisht në lidhje me potencimin e prioriteteve të qytetarëve gjatë miratimit të buxhetit komunal. Fakti që janë të rinj në këtë detyrë iu jep atyre një shans për të sjellë një frymë të freskët në këshillat komunale, por edhe për të siguruar që do të bëhen më efektive në paraqitjen e prioriteteve të qytetarëve dhe në përmbushjen e rolit të tyre mbikëqyrës.

DSC_0279
“Ky projekt vjen në kohën e duhur,” deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhail Fazliu. Ai më tej shtoi se “anëtarët e këshillit kanë përgjegjësinë më të madhe për qytetarët, sepse janë ata që vendosin për miratimin e buxhetit, por edhe për shpenzimin e parave publike, për planet urbane të detajuara, çmimet e shërbimeve, funksionimin e ndërmarrjeve publike në komunë, kopshteve dhe shkollave”

Projekti “Forcimi i këshillave komunal” do të zbatohet nga UNDP në katër vitet e ardhshme, me një mbështetje financiare prej 3.36 milion dollarë të siguruar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Ky është projekti i parë në vend me një fokus të veçantë në këshillat komunale – të cilat janë një ndër shtyllat e demokracisë në nivel lokal.

“Imazhi tradicional i demokracisë lokale është imazhi i kryetarit të komunës, ndërsa këshillat komunale kanë zakonisht një rol më pasiv”, deklaroi përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, znj. Louisa Vinton. “Qëllimi ynë është që anëtarët e këshillave të ofrojnë këshilla, mjete dhe trajnim për t’u bërë partnerë më të fortë, veçanërisht në përcjelljen e prioriteteve të qytetarëve në buxhetet komunale, por edhe në monitorimin e shpenzimeve të mjeteve komunale për të siguruar që çdo qindarkë të shpenzohet me mençuri, efikasitet dhe transparencë “.

“Ky projekt është me rëndësi të veçantë për Zvicrën si një donator, por edhe për UNDP-në si implementues të projektit”, deklaroi ambasadori zviceran Sibyl Sutter Teheada. “Ne do të punojmë së bashku për të rritur efektivitetin dhe autonominë e këshillave të komunave në mënyrë që ata të mund të përmbushin në mënyrë më efektive rolin e tyre të mandatuar me kushtetutë në organet legjislative, mbikëqyrjen dhe përfaqësimin në të gjitha fazat e ciklit të buxhetit”.

 

Si motivim për pjesëmarrje në aktivitetet e projektit, projekti do të ofrojë grante për projekte të bashkësive në vlerë prej 50,000 dollarë për 24 komuna gjatë katër viteve të ardhshme.

Në Forumin e zhvilluar në Strugës morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Ministria e Financave, Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) dhe Shoqata e punonjësve financiarë (ShPF).