ME MBËSHTETJEN ZVICERANE BOGDANCI FITOI NJË KËND TË RI PËR SPORT DHE REKREACION DHE SINJALIZIM PËR KOMUNIKACION MË TË SIGURT

Bogdanci, 9 korrik 2021 – Komuna e Bogdancit e përmirësoi sigurinë e komunikacionit dhe e finalizoi hapësirën e re për sport dhe rekreacion falë përfshirjes së qytetarëve në procesin e zhvillimit lokal përmes Forumeve në bashkësi, të organizuara në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe i implementuar nga UNDP-ja në bashkëpunim me 24 komuna.

Sot, Ambasadorja e Zvicrës, Sybille Suter, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Narine Sahakyan dhe Zëvendës Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zoran Dimitrovski e vizituan Bogdancin për të parë rezultatet e këtyre projekteve dhe për të hapur sesionin e forumit ku qytetarët dhe komuna i rishikuan rezultatet e kësaj iniciative të përbashkët. Njëkohësisht, delegacioni zhvilloi takim me kryetarin e komunës, Bllazhe Shapov, dhe Kryetaren e Këshillit të komunës, Elena Shutarova, ku u diskutua për bashkëpunimin midis Qeverisë së Zvicrës dhe Komunës së Bogdancit me mbështetjen e UNDP-së në avancimin e procesit të decentralizimit dhe forcimin e kapacitetit të komunës për të punuar në mënyrë  llogaridhënëse dhe transparente, si dhe për mundësitë e mëtejshme për përfshirjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes në lidhje me zhvillimin lokal.

Gjatë vitit 2020, qytetarët e Komunës së Bogdancit përmes një serie sesionesh të forumit vendosën t’u japin përparësi iniciativave për ndërtimin e një këndi të ri sportiv-rekreativ në hapësirë të hapur dhe për rritjen e sigurisë në komunikacion duke instaluar sinjalizim të ri në 20 rrugë dhe duke e ndryshuar regjimin e komunikacionit me katër zona të reja shkollore.

“Projekti që u rendit i pari me prioritet “Qytetari i sigurt, qytetar i lumtur – Rregullimi i regjimit të komunikacionit dhe vendosja e shenjave të komunikacionit në Bogdanci” u implementua plotësisht në fund të vitit të kaluar. Me këtë projekt është futur një regjim i ri i komunikacionit para shkollës fillore komunale dhe para çerdhes për fëmijë. U vendosën 745 shenja dhe tabela të ndryshme të komunikacionit. U shënuan 2.800 metra katrorë të zonës së komunikacionit dhe u rregulluan vendet e parkimit, 3 prej të cilave për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe u vendosën 32 metra katrorë me pllaka të prekshme për të verbrit. Projekti kushtoi 2.155.413 denarë. Afër përfundimit është edhe realizimi i projektit të renditur si i dyti “Këndi sportiv-rekreativ për shumë qëllime për fëmijët dhe të rinjtë”, i cili doli si propozim i të rinjve në Bogdanci, dhe i cili do të realizohet me pjesën e mbetur të mjeteve nga donatori dhe nga buxheti i komunës, me vlerë prej 2.270.662 denarë”, shpjegoi kryetari i komunës së Bogdancit, Blazhe Shapov.

Këto projekte u mbështetën financiarisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim me një vlerë të përgjithshme prej 2.7 milion denarë. Me gjithsej 3.5 milion franga, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim e mbështet fuqizimin e këshillave komunalë në 24 komuna anembanë vendit, si organe kryesore për zhvillimin e demokracisë pjesëmarrëse dhe për punën transparente dhe të përgjegjshme të komunave.

“Këto projekte janë rezultat i shkëmbimit të ideve dhe prioriteteve për zhvillimin lokal nga qytetarët, përmes Forumeve në bashkësi. Forumet u dëshmuan se janë një mekanizëm efikas për demokracinë lokale dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë qytetare në vendimmarrje në nivelin lokal. Ne e mbështesim këtë proces në të gjithë vendin që nga viti 2018, me gjithsej 24 projekte të Forumeve në bashkësi të zbatuara me financim zviceran. Përmes këtyre projekteve, ne kemi ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve komunale në fushën e arsimit, mjedisit jetësor, kulturës, furnizimit me ujë, shërbimeve komunale dhe planifikimit urbanistik. Një kontribut shtesë i Forumeve është edhe ajo se ato i inkurajojnë qytetarët të mendojnë për zhvillimin lokal si një përgjegjësi kolektive, e jo vetëm si një çështje institucionale. “Kur qytetarët mendojnë se kanë pronësi mbi projektet për zhvillim lokal, ka shumë gjasa që ato projekte të jenë të qëndrueshme” – deklaroi Sybille Suter, ambasadorja e Zvicrës, në fjalën e saj përshëndetëse në sesionin e forumit.

Projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim “Fuqizimi i Këshillave Komunalë” zbatohet nga Programin për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara (UNDP), në përputhje me Qëllimet globale për zhvillim të qëndrueshëm të vendosura nga Kombet e Bashkuara dhe prioritetet e këtij Programi në vend, në mesin e të cilave është edhe fuqizimi i zhvillimit dhe vetëqeverisjes lokale.

“Qeverisja e mirë dhe demokracia lokale janë baza e punës së UNDP-së në Maqedoninë e Veriut dhe kjo është arsyeja pse unë jam e lumtur që jam këtu sot për t’i parë vetë disa nga rezultatet e shkëlqyera që mund t’i sjellë qeverisja e mirë. Rezultatet më të dukshme, në sajë të mbështetjes financiare të qeverisë zvicerane, janë qasja dhe siguria në komunikacion, si dhe kushtet më të mira për sport dhe rekreacion për të gjithë qytetarët. Por, përfitimi më i madh nga ky projekt është ndryshimi gradual në kulturën e qeverisjes lokale, si midis qytetarëve, ashtu edhe midis autoriteteve lokale”  – tha Narine Sahakyan, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së.

Zëvendës Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zoran Dimitrovski gjithashtu foli në Forumin në bashkësi në Bogdanci, duke e theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e decentralizimit.

“Qeveria punon për të vazhduar procesin e decentralizimit. Fokusi është në transferimin e kompetencave të reja dhe burimeve të mjaftueshme financiare për të zbatuar politikat lokale. Gjëja e tretë më e rëndësishme është sigurimi i kushteve për punë transparente dhe të përgjegjshme të autoriteteve lokale. Nuk mund të flasim për decentralizim të suksesshëm, transparencë dhe llogaridhënie pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në krijimin e politikave lokale. Prandaj, kjo praktikë e vendosur duhet të sigurojë qëndrueshmëri. Autoritetet lokale dhe qytetarët janë partnerë në vendimmarrje. Vendimet e marra pa pjesëmarrjen e qytetarëve mund të jenë të ligjshme, por pa legjitimitet të siguruar, të konfirmuar nga qytetarët, vendohet në pikëpyetje besimi i ndërsjellë dhe zbatimi i tyre” – tha Dimitrovski.

Projekti zbatohet në partneritet me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, Ministrinë e Financave, BNJVL-në, Shoqatën e Punëtorëve Financiarë dhe Organin e KB-ve për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women). Përmes projektit deri më tani janë realizuar një sërë aktivitetesh për ta forcuar kapacitetin e këshilltarëve dhe për rrjetëzimin e tyre, për ta përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien e komunave, duke zbatuar mjete të reja, dhe për ta rritur pjesëmarrjen qytetare në marrjen e vendimeve në nivel lokal. Duke filluar nga viti 2018, janë mbajtur gjithsej 125 seanca të forumeve në 24 komunat në të cilat morën pjesë rreth 8.500 qytetarë, banorë të komunave të përzgjedhura.

Zvicra e ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në tranzicionin e saj politik, shoqëror dhe ekonomik që nga viti 1992. Qëllimi aktual i programit zviceran në vend është të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duke i forcuar institucionet dhe praktikat demokratike, duke promovuar rritjen ekonomike inkluzive dhe mbrojtjen e burimeve natyrore. Zvicra shton vlerë përmes ekspertizës, financimit dhe angazhimit konstruktiv me partnerët afatgjatë në Maqedoninë e Veriut. Sot, Zvicra është një nga partnerët më të bilateralë të Maqedonisë së Veriut dhe mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.