Mjetet novatore për komuna më transparente në konkurrencë për angazhimin më me ndikim në Evropë

Shkup, 21.10.2021 – Grupi i mjeteve novatore që e kanë rritur transparencën e komunave në vend janë në konkurrencë për përzgjedhjen e angazhimit më me ndikim në Evropë. Bëhet fjalë për Çmimin e Qeverisë së Hapur, i cili jepet në nivel global, në kuadër të jubileut dhjetëvjeçar të iniciativës për Partneritet për Qeveri të Hapur. Votimi do të mbahet deri më 22 tetor, dhe mbështetje për angazhimin për komuna më transparente në vend mund të japin të gjithë qytetarët, duke votuar në ueb-faqen e  Partneritetit për Qeveri të Hapur.

Këto mjete novatore u krijuan dhe u vunë në përdorim gjatë tre viteve të fundit, në kuadër të angazhimit “Krijimi i mjeteve të reja për të përmirësuar transparencën financiare dhe llogaridhënien e njësive të vetëqeverisjes lokale”. Aktiviteti më i gjerë rezultoi me krijimin e mjetit elektronik e cila u mundëson komunave ta paraqesin para qytetarëve punën financiare dhe realizimin e buxhetit në mënyrë të kuptueshme. Deri më tani, gjithsej 39 komuna e kanë njohur efikasitetin dhe aspektin praktik të këtij mjeti, kurse të dhënat për të gjitha këto komuna janë në dispozicion në ueb-faqen e Ministrisë së Financave. Ky mjet kontribuon në përmirësimin e transparencës fiskale në nivel lokal dhe hartimin e politikave komunale në bazë të informatave. Përveç kësaj, u siguruan teknologji digjitale për gjithsej 18 këshilla komunalë që mundësuan që seancat e Këshillit të transmetoheshin drejtpërdrejt në mediat sociale. Aktiviteti i tretë, i cili u zbatua në 24 komuna, kontribuoi që qytetarët të përfshihen drejtpërdrejt në procesin e vendimmarrjes, i cili rezultoi në realizimin e 33 projekteve të dedikuara kryesisht për kategoritë e cenueshme të qytetarëve.

“Ministria e Vetëqeverisjes Lokale është bartëse e angazhimit me të cilin zbatohen mjete të reja dhe novatore për qasje të shpejtë dhe të lehtë në të dhënat për realizimin e buxheteve komunale. Qytetarët mund të informohen se për çfarë përdoren paratë e tyre, ndërsa komunat e rrisin transparencën dhe llogaridhënien. Praktikisht, përfitimi është i madh për të gjithë, sepse qytetarët mund të ndikojnë, ndërsa përfaqësuesit e tyre në Këshillin e komunës të marrin vendime në bazë të të dhënave përkatëse dhe të disponueshme” – thonë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.

Koordinatori Kombëtar i iniciativës për Partneritetin për Qeveri të Hapur, e cila zbatohet që nga viti 2011, është Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Angazhimi për komuna transparente zbatohet nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në bashkëpunim me Programin për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), Ministrinë e Financave, BNJVL-në, UN Women, Shoqatën e Punëtorëve Financiarë dhe komunat partnere, në kuadër të projektit ” Fuqizimi i Këshillave Komunalë”, i cili mbështetet financiarisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

“Zhvillimi i demokracisë lokale është një nga qëllimet për të cilat UNDP punon me përkushtim, duke e inkurajuar kështu transparencën e komunave. “Qëllimi dhe angazhimi ynë në periudhën e ardhshme është që aktivitetet e zbatuara në kuadër të këtij projekti të pranohen nga të gjitha vetëqeverisjet lokale në vend, si dhe futja në përdorim e mjeteve të reja novatore që do të kontribuojnë në hapjen më të madhe të komunave ndaj qytetarëve,” deklaruan nga Zyra e UNDP-së në Shkup.

Nëse angazhimi për komuna më transparente zgjidhet si një nga angazhimet më me ndikim në Evropë, ai do të marrë pjesë në Samitin Global për PQH, i cili do të mbahet në Korenë e Jugut në fund të vitit.