Komuna e Velesit, Strumicës, Vallandovës dhe Sveti Nikollës prej para do kohësh filluan t’i transmetojnë drejtpërsëdrejti mbledhjet e Këshillave të Komunave në rrjetet sociale Facebook dhe YouTube.

Transmetimi i mbledhjeve të Këshillave Komunale është pjesë e Programit “Fuqizimi i këshillave komunale”, i cili parasheh mbështetje financiare në vlerë prej 12,000 frangave zviceranë për realizim të projekteve, por edhe për pjesëmarrje të qytetarëve në procesin e miratimit të politikave në nivel lokal.

Në periudhën në vijim në Facebook dhe YouTube do të fillojnë të transmetohen mbledhjet e Këshillave të Komunave të Çairit, Ohrit, Kavadarit, Koçanës, Mogillës, Bërvenicës dhe Zhelinës.

Një pjesë e komunave kanë vendosur ta shfrytëzojnë mbështetjen e Programit për realizim të projekteve, të cilat përfshijnë përpunimin e teknologjive informatike për fuqizim të komunikimeve ndërmjet këshillave komunale dhe qytetarëve; rritje të transparencës së komunës; lehtësim të qasjes së qytetarëve në dokumente, të cilat i lëshon komuna.

Në vitin 2020 Programi do të përfshijë edhe 9 komuna tjera, të cilat do të përzgjidhen përmes thirrjes publike, e cila do të publikohet gjatë muajit shtator të vitit 2019.

Përpos mbështetjes së dedikuar për përmirësim të transparencës dhe llogaridhënies së komunave, gjithsej 1.2 milion franga zviceranë janë rezervuar për grante të vogla dedikuar për realizim të iniciativave prioritare në të gjitha 24 komunat, të cilat do të marrin pjesë në Program deri në fund të vitit 2020.

“Fuqizimi i këshillave komunale” është një program i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, me vlerë prej 3.4 milion franga zvicerane e cila  zbatohet nga Programi për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në bashkëpunim me partnerë kombëtarë dhe lokalë.