ZHVILLIM I AVANCUAR LOKAL NË 24 KOMUNA PËRMES PROGRAMIT “FUQIZIMI I KËSHILLAVE KOMUNALË”

Shkup, 24 mars 2022 – Këshilla komunalë më të fuqishëm dhe autonom, teknologji inovative për transparencë dhe llogaridhënie më të madhe të komunave dhe rritja e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje në nivel lokal janë rezultatet kryesore të fazës së parë të programit “Fuqizimi i këshillave komunalë”. Bëhet fjalë për programë të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, e cila në pesë vitet e fundit është zbatuar në 24 komuna të vendit. Si pjesë e komponentës së parë të programit, më shumë se 420 këshilltarë komunal kanë kaluar mbi 100 trajnime të cilat iu kanë ndihmuar të përmirësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në 11 fusha në kompetencat e vetëqeverisjes lokale. Në të njëjtën kohë, të gjithë 1347 këshilltarët në vend fituan mundësinë për rrjetëzim dixhital, mësim në distancë dhe certifikim përmes ueb platformës së veçantë të zhvilluar në kuadër të programës.

“Do të dëshiroja të rrisim efektivitetin dhe autonominë e këshillave komunalë për zbatim më të suksesshëm të detyrave dhe roleve tona. Prandaj, duhet të zhvillojmë aftësi të reja, të përmirësojmë njohuritë tona në fushën e vetëqeverisjes lokale, të shkëmbejmë përvoja në mënyrë që të prezantojmë në mënyrë më efektive prioritetet qytetare dhe të mbikëqyrim punën e komunave. Projektet dhe ngjarjet e tilla janë mundësi për shkëmbim të përvojave, njohurive dhe prezantimit, dhe më tutje zgjidhje të sfidave në përputhje me rrethanat sociale”, tha Trajko Sllaveski, kryetar i Komitetit të këshillave komunal në BNJVL.

Krahas mbështetjes për këshillat komunal, në 24 komuna u realizuan 33 projekte me përfshirje sociale, të përzgjedhura drejtpërdrejt nga banorët lokalë përmes Forumeve në bashkësi. Mbi 8800 qytetarë morën pjesë në gjithsej 126 sesione forumesh, ndërsa parimi i barazisë gjinore u respektua plotësisht. Rezultati i këtyre sesioneve janë kushte më të mira në 11 çerdhe dhe shkolla, infrastruktura rrugore e rikonstruktuar në tri komuna, cilësi më e mirë e shërbimeve ndaj qytetarëve në pesë komuna, pesë qendra të reja sportive dhe rekreative, mjete dhe pajisje të reja IT në dy shkolla, katër projekte përmes të cilave janë përmirësuar kushtet për grupet vulnerabël të qytetarëve dhe qendra të reja rinore në tri komuna.

“Përfitimi kryesor i programit “Fuqizimi i Këshillave Komunal” është se ka ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në 24 komunat partnere, por në të njëjtën kohë ka krijuar mjete dhe praktika që forcojnë kapacitetet si të këshilltarëve ashtu edhe të administratës komunale, dhe inkurajojnë pjesëmarrjen e qytetarëve përmes Forumeve në bashkësi. Projekti gjithashtu financoi projekte që burojnë nga pjesëmarrja qytetare, mes të cilave edhe furnizimin me automjete zjarrfikëse. Kjo i hap rrugën ndërtimit të pushteteve vendore më transparente, të përgjegjshme dhe autonome të cilat në radhë të parë do të kenë nevojat dhe interesat e qytetarëve. Zvicra mbetet një mbështetëse e përkushtuar e qeverisjes së mirë në nivel lokal dhe kombëtar në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha SH.S. Veronik Ulman, ambasadore e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut.

Në funksion të përmirësimit të transparencës së komunave, në 18 këshilla komunale u vendosën pajisje për transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave të këshillit, dhe në gjashtë komuna tjera u vendosën e-kioska për kryerjen e shërbimeve lokale, ueb aplikacione për komunikim të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe këshilltarët ose për përfshirjen e qytetarëve në procesin e përgatitjes së buxhetit komunal. Për më tepër, u zhvillua një ueb platformë për një prezantim të thjeshtë dhe të kuptueshëm të realizimit të buxheteve komunale, e cila aktualisht përdoret nga 40 komuna dhe Qyteti i Shkupit. Inovacioni i kësaj ueb platforme mori njohje ndërkombëtare, duke fituar çmimin e tretë në nivel evropian për ndikimin e saj në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe cilësinë e demokracisë në Samitin global të Partneritetit për qeverisje të hapur në vitin 2021, mbajtur në Seul, Republika e Koresë.

“Programi “Fuqizimi i Këshillave Komunal” në pesë vitet e fundit ka dëshmuar se përdorimi i qasjes së duhur, arsimimit dhe teknologjive inovative mund të nxisë dhe të përshpejtojë zhvillimin lokal dhe të vendosen standarde të reja në zbatimin e politikave në vetëqeverisjen lokale. Implementimi i projektit rikonfirmoi vizionin tonë se zhvillimi lokal është pjesë integrale dhe segment kyç i progresit të përgjithshëm të vendit dhe në mënyrën më të drejtpërdrejtë kontribuon në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, theksoi Sanja Bojaniç, zëvendëse e Përfaqësuesit të Përhershëm të UNDP-së.

Programi “Fuqizimi i këshillave komunalë” është realizuar me buxhet të përgjithshëm prej 3,5 milionë franga zvicerane, dhe është implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në partneritet me Ministrinë e Pushtetit Lokal, Ministrinë e Financave, BNJVL, Shoqatën e punëtorëve financiarë dhe Organi i OKB-së për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave (UN Women).

Zvicra ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në tranzicionin politik, social dhe ekonomik që nga viti 1992. Qëllimi aktual i programit të Zvicrës në vend është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duke forcuar institucionet dhe praktikat demokratike, duke promovuar rritjen ekonomike inkluzive dhe mbrojtjen e burimeve natyrore. Zvicra shton vlerë përmes ekspertizës, financimit dhe angazhimit konstruktiv me partnerët afatgjatë në Maqedoninë e Veriut. Sot, Zvicra është ndër partnerët më të mëdhenj bilateral të Maqedonisë së Veriut dhe mbetet e përkushtuar drejtë stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.