Mjetet inovative për komuna më transparente në vend ndër fituesit globalë të Partneritetit për Qeverisje të Hapur

Shkup, 17 dhjetor 2021 – Në konkurrencë me më shumë se 100 aplikime, mjetet inovative për transparencë dhe llogaridhënie më të madhe të komunave në vend e fituan çmimin e tretë në nivel evropian, për ndikim në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe cilësinë e demokracisë, në Samitin Global për Partneritetin për Qeverisje të Hapur që mbahet në Seul, Republika e Koresë. Bëhet fjalë për një grup mjetesh që janë krijuar dhe janë vënë në përdorim në katër vitet e fundit dhe kanë kontribuar për përmirësimin e transparencës fiskale në nivel lokal, kanë mundësuar ndjekjen e drejtpërdrejtë të seancave të 18 komunave, si dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në 24 komuna. Aktivitetet janë realizuar në kuadër të angazhimit “Krijimi i mjeteve të reja për përmirësimin e transparencës financiare dhe llogaridhënies së njësive të vetëqeverisjes vendore”, bartës i të cilit është Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.

“Kjo mirënjohje globale është rezultat i përpjekjeve dhe aktiviteteve shumëvjeçare, të cilat i kemi realizuar së bashku me partnerët tanë, me qëllim të rritjes së hapjes dhe transparencës së komunave, por edhe përfshirjes më të drejtpërdrejtë të qytetarëve në proceset e vendimmarrjes. Në praktikë, aktivitetet kanë kontribuar në qasjen e shpejtë dhe të lehtë në të dhënat për realizimin e buxheteve komunale, vendimmarrjen e bazuar në të dhënat relevante dhe atyre që janë në dispozicion, si dhe zbatimin e projekteve me interes publik të propozuara drejtpërdrejt nga qytetarët” – theksoi ministri i vetëqeverisjes lokale, Goran Milevski.

Angazhimi për komuna transparente u zbatua në kuadër të projektit zviceran “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”, i zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministrinë e Financave.

“Realizimi i këtij angazhimi tregoi se kur qytetarët janë të pranishëm në procesin e vendimmarrjes dhe planifikimit financiar, përmirësohet efektiviteti dhe efikasiteti i shërbimeve publike. Përfshirja e qytetarëve në këtë proces kontribuon edhe në llogaridhënien dhe transparencën e autoriteteve, si dhe në besimin midis vetëqeverisjes lokale dhe qytetarëve. Urime për Maqedoninë e Veriut për këtë mirënjohje, në fakt shpresoj se kjo do të nxisë rritje të qëndrueshme të këtyre mjeteve, e me këtë edhe përfshirje më të madhe të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në të ardhmen”, deklaroi Véronique Hulmann Marty, ambasadore e Zvicrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“UNDP-ja është e përkushtuar për zhvillimin e demokracisë lokale dhe ngritjen e kapaciteteve të komunave, sepse besojmë se ky është një parakusht kyç për zhvillim të qëndrueshëm dhe kushte më të mira për jetesë për të gjithë qytetarët. Kjo mirënjohje është një “erë pas shpine” që të jemi këmbëngulës në qëllimin tonë që mjetet ekzistuese të pranohen nga të gjitha pushtetet lokale në vend, por edhe që të krijojmë zgjidhje të reja inovative për një hapje më të madhe të komunave ndaj qytetarëve” – tha Armen Grigoryan, Përfaqësuese e përhershme e UNDP-së.

Koordinatori Kombëtar i iniciativës për Partneritetin për Qeverisje të Hapur, e cila zbatohet që nga viti 2011, është Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

“Dëshiroj të theksoj se Republika e Maqedonisë së Veriut ka rezultate të pranuara proceset e qeverisjes së hapur, ndërsa çmimi i marrë në Samitin Global është një konfirmim i vërtetë dhe i sinqertë se puna e përbashkët dhe raporti i partneritetit midis qeverisë, shoqërisë civile dhe komunitetit të donatorëve ofron zgjidhje funksionale dhe afatgjata për sfidat me të cilat përballemi si shoqëri. Që nga bashkimi me këtë iniciativë në vitin 2011, përmes pesë planeve aksionale me përkushtim ndiqet nevoja për angazhim dhe përfshirje më të madhe të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, futjen e standardeve më të larta të integritetit dhe qasje më të madhe në teknologji. Plani i ri Kombëtar Aksional për Partneritetin për Qeverisje të Hapur për periudhën 2021-2023 e konfirmon përkushtimin se edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdohet me punën e përkushtuar të sektorit publik, nga i cili pritet në partneritet me palët e interesit të bëjë inovacione, të zhvillojë politika që i përmbushin nevojat e qytetarëve si përgjigje ndaj trendeve moderne” – tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri.

Samiti Global në Republikën e Koresë mbahet në kuadër të jubileut dhjetëvjeçar të iniciativës së Partneritetit për Qeverisje të Hapur, ndërsa tema prioritare janë forcimi i përfshirjes së shoqërisë civile dhe publikut, luftimi i korrupsionit dhe promovimi i inovacionit digjital gjithëpërfshirës.