“FUQIZIMI I KËSHILLAVE KOMUNALE” DO TA STIMULOJË ZHVILLIMIN LOKAL NË 40 KOMUNA TË REJA

Shkup, 12 korrik, 2022 – Filloi faza e dytë e projektit “Fuqizimi i këshillave komunale” përmes të cilit në pesë vitet e ardhshme do të realizohen sërë aktivitetesh për nxitjen e zhvillimit të komunave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në komunitetet lokale. Për realizimin e këtyre qëllimeve do të punohet në avancimin e kapaciteteve të këshilltarëve komunalë, në përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në miratimin e vendimeve, në përmirësimin e legjislacionit, digjitalizimin e shërbimeve, rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit. Një prej parimeve kryesore të projektit është që gjatë realizimit të të gjitha aktiviteteve projektuese të respektohen në tërësi parimet e përfaqësimit të barabartë gjinor dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.

“Fuqizimi i këshillave komunale” është projekt partner i Qeverisë së Zvicrës dhe Programit për zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), dhe në implementimin e fazës së dytë do të marrë pjesë të drejtpërdrejtë edhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Aktivitetet projektuese do të realizohen në gjithsej 40 komuna, të cilat do të zgjidhen në mënyrë transparente dhe në pajtim me kriteret e përcaktuara. Thirrja publike për zgjedhjen e 10 komunave të para të cilat do të përfshihen në projektin tashmë është publikuar dhe vetëqeverisjet lokale të interesuara mund të aplikojnë më së voni deri më 21 korrik.

Në vetëqeverisjet lokale partnere do të realizohen trajnime të specializuara për këshilltarë dhe do të implementohen mjete digjitale për transparencë më të madhe në punë. Gjithashtu, në këto komuna do të organizohen edhe Forume në bashkësi, përmes të cilave qytetarët do të zgjedhin drejtpërdrejt projekte lokale prioritare për realizimin e të cilave janë paraparë grante të pakthyeshme. Megjithatë, përfitime do të ketë i tërë sistemi i vetëqeverisjes lokale, duke pasur parasysh që trajnimet online për këshilltarë dhe ueb platforma për publikimin e të dhënave financiare janë të arritshme për të gjitha komunat në shtet. Qëllimi final dhe misioni i projektit është ndërtimi i vetëqeverisjeve transparente, llogaridhënëse dhe autonome ku në vend të parë i kanë nevojat dhe interesat e qytetarëve.

Faza e dytë e projektit “Fuqizimi i këshillave komunale” do të realizohet në periudhën 2022 – 2027 me buxhet total prej 6,7 milionë dollarë amerikanë. Dëshmi më e mirë për suksesin e fazës së parë të projektit është çmimi i tretë në nivel evropian për ndikim në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe cilësisë së demokracisë, të fituar në Samitin global të Partneritetit për qeveri të hapur në Seul, Republika e Koresë.

Zvicra e mbështet Maqedoninë e Veriut në tranzicionin politik, social dhe ekonomik që nga viti 1992. Qëllimi aktual i programit të Zvicrës në vend është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut përmes përforcimit të institucioneve dhe praktikave demokratike, promovimit të rritjes ekonomike inkluzive dhe mbrojtjes së resurseve natyrore. Zvicra shton vlerë përmes ekspertizës, financimit dhe angazhimit konstruktiv me partnerët afatgjatë në Maqedoninë e Veriut. Sot, Zvicra është ndër partnerët më të mëdhenj bilateralë të Maqedonisë së Veriut dhe mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.