Me një projekt zviceran u trajnuan mbi 240 këshilltarë komunalë nga 24 komuna gjatë këtyre dy vite e gjysmë

Me trajnimin e fundit të mbajtur fundjavën e kaluar, përfundoi implementimi i trajnimeve për zhvillimin e kapaciteteve të këshilltarëve komunalë nga komunat e Berovës, Zërnovcit, Vallandovës, Manastirit, Krushevës, Vevçanit, Çashkës dhe Tetovës. Gjithsej 70 këshilltarë që morën pjesë në trajnime morën çertifikata.

Gjatë tetë muajve të kaluar, këshilltarët nga këto komuna i kanë përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre në 11 tema në lidhje me menaxhimin e financave publike komunale, menaxhimin e burimeve njerëzore, planifikimin hapësinor dhe urban, inovacionin e menaxhimit, bashkëpunimin ndër-komunal dhe ndëretnik, barazinë gjinore dhe qeverisjen e mirë në nivel lokal.

Trajnimet u zhvilluan nga një ekip prej tridhjetë ekspertësh dhe ish-këshilltarësh të angazhuar dhe të koordinuar nga UNDP-ja dhe Shoqata e Punonjësve Financiarë e Vetëqeverisjeve Lokal dhe Ndërmarrjeve Publike (ShPF).

Duke filluar nga viti 2018 deri më tani mbi 240 këshilltarë nga 24 komuna i kanë përfunduar trajnimet të cilat janë në dispozicion edhe në version elektronik në platformën për e-mësim të dedikuar për të gjithë këshilltarët komunalë në vend.

Përveç trajnimeve interaktive për të gjitha 11 temat e Programit për Zhvillimin e Kapaciteteve të Këshilltarëve Komunalë, platforma për e-mësim u mundëson këshilltarëve të komunikojnë me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë ide dhe të ndajnë praktikat e suksesshme nga komunat e tyre me kolegët e tyre këshilltarë nga komunat e tjera në vend.

Trajnimet dhe platforma për e-mësim për këshilltarët komunalë janë pjesë e projektit të Ambasadës Zvicerane/Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim “Fuqizimi i Këshillave komunalë” me vlerë të përgjithshme prej 3.5 milion frangash zvicerane, i cili zbatohet nga ana e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në bashkëpunim me Shoqatën e Punonjësve Financiarë dhe partnerë të tjerë kombëtarë dhe lokalë.

Përveç trajnimeve të dedikuara për këshilltarët, gjithsej 1.2 milion franga zvicerane janë ndarë për grante që kanë për qëllim realizimin e iniciativave prioritare në të gjitha 24 komunat që marrin pjesë në projekt.