ME MBËSHTETJE ZVICERANE KOMUNA E OHRIT U BË MË E ARRITSHME PËR QYTETARËT

Ohër, 19 nëntor 2020 – Prej sot, Komuna e Ohrit është më e arritshme për të gjithë falë përfshirjes së qytetarëve përmes Forumeve në bashkësi të organizuara në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe i implementuar nga UNDP-ja në bashkëpunim me Komunën e Ohrit. Sot, Ambasadorja e Zvicrës Sibil Suter dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Narine Sahakyan, e vizituan Ohrin për t’i parë rezultatet e këtij projekti dhe njëkohësisht mbajtën një takim me Kryetarin e Ohrit, Konstantin Georgieski, dhe Kryesuesen e Këshillit, Zhivka Angelloska. Në takim u diskutua për bashkëpunimin midis Qeverisë së Zvicrës, UNDP-së dhe Komunës së Ohrit në avancimin e procesit të decentralizimit dhe forcimin e kapacitetit të komunës për të punuar në mënyrë  llogaridhënëse dhe transparente, si dhe për mundësitë e mëtejshme për përfshirjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes në lidhje me zhvillimin lokal.

Gjatë vitit 2018, qytetarët e Komunës së Ohrit përmes katër seancave të forumit vendosën t’i japin përparësi iniciativës “Qasje më e lehtë për shërbime më të mira komunale dhe përfshirje qytetare”, e cila synon përmirësimin e qasjes në ndërtesën komunale.

“Projekti është i financuar nga Ambasada Zvicerane në Republikën e Maqedonisë së Veriut me një buxhet të përgjithshëm prej 50,000 frangash zvicerane. Me realizimin e projektit, u rindërtuan shkallët hyrëse që çojnë në sallën e madhe komunale. U instalua një platformë ashensori hidraulike për personat me aftësi të kufizuara fizike dhe plotësisht u rinovua salla e madhe komunale. Kjo siguroi qasje më të lehtë në shërbime më të mira komunale. Gjithashtu u rregullua brendia e sallës me ndriçim të ri, sistem të zërimit dhe mobilje. Kështu u siguruan kushte më të përshtatshme për punën e këshilltarëve komunalë, por edhe për të gjithë qytetarët dhe shoqatat që e përdorin sallën për nevoja të ndryshme”, deklaroi kryetari i Ohrit, Konstantin Georgieski.

“Projekti u zgjodh nga disa grupe punuese, në të cilat kishte përfaqësues të Këshillit Komunal të Ohrit, administratës komunale, përfaqësues të sektorit joqeveritar dhe të biznesit. Tema kryesore e Forumit ishte përfshirja sociale, ndërsa qëllimi i seancave të forumit ishte të propozohen dhe të identifikohen projekte prioritare që mund të kontribuojnë në këtë fushë shoqërore. Vetë qytetarët i propozuan dhe i vlerësuan projektet. Ky projekt është shumë i rëndësishëm, sepse për herë të parë në Komunën e Ohrit u organizua Forumi në bashkësi” – shtoi Kryesuesja e Këshillit të Komunës së Ohrit, Zhivka Angelloska.

Me gjithsej 3.5 milion franga, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim e mbështet fuqizimin e këshillave komunalë në 24 komuna anembanë vendit, si organe kryesore për zhvillimin e demokracisë pjesëmarrëse dhe për punën transparente dhe të përgjegjshme të komunave.

“Projekti për fuqizimin e këshillave komunalë mundëson përfshirjen tonë të vazhdueshme në decentralizimin e pushtetit duke i mbështetur këshillat komunalë dhe përmirësimin e tyre në aspekt të roleve të mbikëqyrjes, roleve legjislative dhe përfaqësuese. “Si rezultat i këtij projekti, qytetarët do të kenë qasje më të lehtë në informacion, ndërsa përfaqësuesit e komunave do t’i kuptojnë më mirë nevojat e publikut”, shpjegoi Sibil Suter, Ambasadorja zvicerane, gjatë vizitës së saj në Ohër.

Projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim “Fuqizimi i Këshillave Komunalë” zbatohet nga Programin për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara (UNDP), në përputhje me Qëllimet globale për zhvillim të qëndrueshëm të vendosura nga Kombet e Bashkuara dhe prioritetet e këtij Programi në vend, në mesin e të cilave është edhe fuqizimi i zhvillimit dhe vetëqeverisjes lokale.

“UNDP në mënyrë aktive e mbështet përmirësimin e qeverisjes në Maqedoninë e Veriut sepse efektet e përhapura të qeverisjes së mirë kanë ndikim pozitiv në ekonominë, mjedisin jetësor dhe shoqërinë në tërësi. Nëse qeveria dhe qytetarët qëndrojnë të përkushtuar në bashkëpunimin e ndërsjellë, gjë që e dëshmuan se mund ta bëjnë përmes këtyre forumeve në bashkësi, besoj se vendi do të dalë nga kriza e pandemisë në një gjendje shumë më të mirë se më parë”, shtoi Narine Sahakyan, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së.

Projekti zbatohet në partneritet me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, Ministrinë e Financave, BNJVL-në, Shoqatën e Punëtorëve Financiarë dhe Organin e KB-ve për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women). Përmes projektit deri më tani janë realizuar një sërë aktivitetesh për ta forcuar kapacitetin e këshilltarëve dhe për rrjetëzimin e tyre, për ta përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien e komunave, duke zbatuar mjete të reja, dhe për ta rritur pjesëmarrjen qytetare në marrjen e vendimeve në nivel lokal. Duke filluar nga viti 2018, janë mbajtur gjithsej 108 seanca të forumeve në kuadër të 24 proceseve të forumit anembanë vendit, në të cilat morën pjesë mbi 6.900 qytetarë, banorë të komunave të përzgjedhura. Deri më tani, janë realizuar plotësisht iniciativat prioritare në nëntë komuna, ndërsa janë duke u realizuar iniciativat e përzgjedhura përmes Forumeve në bashkësi në 15 komuna të tjera që janë pjesë e projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”.

Zvicra e ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në tranzicionin e saj politik, shoqëror dhe ekonomik që nga viti 1992. Qëllimi aktual i programit zviceran në vend është të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duke i forcuar institucionet dhe praktikat demokratike, duke promovuar rritjen ekonomike inkluzive dhe mbrojtjen e burimeve natyrore. Zvicra shton vlerë përmes ekspertizës, financimit dhe angazhimit konstruktiv me partnerët afatgjatë në Maqedoninë e Veriut. Sot, Zvicra është një nga partnerët më të bilateralë të Maqedonisë së Veriut dhe mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.