U MBAJT KONFERENCA E KATËRT VJETORE PËR DECENTRALIZIMIN DHE QEVERISJEN LOKALE

Shkup, 11 dhjetor 2020 – Sot në Shkup u mbajt konferenca e katërt vjetore për decentralizimin dhe qeverisjen lokale me titull “Pas KOVID-19: Ndërtojmë vetëqeverisje lokale rezistente”, e organizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë” i cili mbështetet financiarisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), kurse po zbatohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP). Në Konferencë u prezantuan gjetjet e Raportit Gjashtëmujor për financimin e komunave në gjysmën e parë të vitit 2020, dhe të Raportit integral për përgjigjen e sistemit komunal për menaxhimin e krizës së Pandemisë së KOVID-19 dhe ndikimin e saj në shërbimet lokale. Në të njëjtën kohë, në suazat e konferencës do të prezantohet edhe instrumenti interaktiv on-line për monitorimin e ndikimit socio-ekonomik të KOVID-19 në vendin tonë.

Konferenca u hap me fjalimet e Ambasadores së Zvicrës, Sybille Suter Tejada, Zëvendës Përfaqësueses së Përhershme të UNDP-së Sanja Bojaniq, Kryetarit të Këshillit të Komunës së Koçanit dhe Kryetar i Komitetit të Këshillave në BNJVL, Tome Solevski, Ministrit të Financave, Fatmir Besimi dhe Ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për rrethanat e vështira në të cilat veprojnë të gjitha institucionet gjatë pandemisë, por nuk ka dyshim se autoritetet lokale, që janë më të afërta me qytetarët, ishin në një pozitë veçanërisht delikate. Ato duhej të përballeshin me të ardhura të reduktuara dhe në të njëjtën kohë u duhej të ofronin shërbime shtesë si pasojë e KOVID-19. Por, përkundër të gjitha pengesave, mund të them me kënaqësi se arritëm rezultate të shkëlqyera. “Nga vitit 2018 deri më sot, më shumë se 7,500 qytetarë nga 24 komuna kanë marrë pjesë në mbi 100 seanca të forumeve për të diskutuar dhe për të përzgjedhur projektet prioritare për komunitetet e tyre në një mënyrë të hapur, transparente dhe pjesëmarrëse,” tha Ambasadorja Zvicerane, Sybille Suter Tejada.

Analiza e efekteve financiare të KOVID-19 mbi komunat tregon se nga pandemia janë prekur fuqishëm të hyrat vetanake më të rëndësishme të komunave në vend, gjegjësisht: Tatimi në pronë shënon ulje prej 8.87% në tremujorin e parë dhe ulje prej 19.14% në tremujorin e dytë në vitin 2020; Tatimet e shërbimeve specifike shënojnë ulje prej 10.97% në tremujorin e parë dhe madje 21.18% në tremujorin e dytë; Taksat dhe kompensimet ku nga një ulje prej 5.1% në tremujorin e parë të vitit 2020, në tremujorin e dytë ka ulje prej 63.42%. Sa i përket të ardhurave, vetëm Transferet nga pushteti qendror, të cilat u rritën për 27.48% në tremujorin e parë dhe për 20.25% në tremujorin e dytë të vitit 2020, krahasuar me 2019, e amortizuan goditjen mbi të ardhurat komunale. Komunat në fillim të pandemisë ishin veçanërisht të kujdesshme me shpenzimet, duke parashikuar goditjen e ardhshme të pandemisë mbi të ardhurat lokale dhe shpenzimet e përgjithshme komunale tregojnë një trend të konsiderueshëm rënës nga tremujori i parë në tremujorin e dytë të vitit 2020, përkatësisht një rritje modeste prej vetëm 0.76% në tremujorin e parë të vitit 2020/2019 në tremujorin e dytë rënia e shpenzimeve të përgjithshme është sa 17.8% (në komunat urbane rënia është sa 28%).

“Në muajt e kaluar, UNDP-ja ka vazhduar të mbështesë përpjekjet e vendit për të forcuar sistemin e vetëqeverisjes lokale për të qenë më rezistent ndaj tronditjeve të ardhshme. Me analizat e fakteve që i prezantojmë sot, ne duam ta mbështesim vendin në marrjen e vendimeve të informuara gjatë krizës, me qëllim të drejtimit të burimeve të pakta drejt sektorëve dhe segmenteve kritike të popullsisë, ku ato janë më të nevojshme. Për më tepër, përmes Vlerësimit tonë socio-ekonomik të efekteve të KOVID-19, ne kemi zhvilluar një mjet monitorues interaktiv (i disponueshëm në www.impact-covid19.mk), i cili do t’u mundësojë hartuesve dhe zbatuesve të politikave që t’i monitorojnë informacionet kritike për ndikimin e krizës, në mënyrë që ata të marrin vendime të informuara duke u bazuar në ato gjetje,” shtoi Zëvendës-Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Sanja Bojaniq.

Projekti “Fuqizimi i Këshillave Komunalë” zbatohet në partneritet me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, Ministrinë e Financave, BNJVL-në, Shoqatën e Punëtorëve Financiarë dhe Organin e KB-ve për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women). Përmes projektit deri më tani janë realizuar një sërë aktivitetesh për ta forcuar kapacitetin e këshilltarëve dhe për rrjetëzimin e tyre, për ta përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien e komunave, duke zbatuar mjete të reja, dhe për ta rritur pjesëmarrjen qytetare në marrjen e vendimeve në nivel lokal. Duke filluar nga viti 2018, janë mbajtur gjithsej 108 seanca të forumeve në kuadër të 24 proceseve të forumit anembanë vendit, në të cilat morën pjesë mbi 7,500 qytetarë, banorë të komunave të përzgjedhura. Deri më tani, janë realizuar plotësisht iniciativat prioritare në nëntë komuna, ndërsa janë duke u realizuar iniciativat e përzgjedhura përmes Forumeve në bashkësi në 15 komuna të tjera që janë pjesë e projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”.

Zvicra e ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në tranzicionin e saj politik, shoqëror dhe ekonomik që nga viti 1992. Qëllimi aktual i programit zviceran në vend është të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duke i forcuar institucionet dhe praktikat demokratike, duke promovuar rritjen ekonomike inkluzive dhe mbrojtjen e burimeve natyrore. Zvicra shton vlerë përmes ekspertizës, financimit dhe angazhimit konstruktiv me partnerët afatgjatë në Maqedoninë e Veriut. Sot, Zvicra është një nga partnerët më të bilateralë të Maqedonisë së Veriut dhe mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.