Këshilltarët komunalë diskutuan për vitin e ardhshëm shkollor

Në kuadër të projektit të Ambasadës Zvicerane “Fuqizimi i Këshillave Komunalë” në Maqedoninë e Veriut, që zbatohet nga UNDP-ja, u organizua një takim i grupit tematik të punës për veprimtaritë publike për të diskutuar sfidat e imponuara nga pandemia e Kovid-19 në lidhje me funksionimin e veprimtarive publike lokale me theks të veçantë në arsimin. Në takimin virtual, të inicuar nga UNDP-ja dhe BNJVL-ja, morën pjesë 22 pjesëmarrës (kryetarë dhe anëtarë të Këshillave Komunalë dhe udhëheqës të Njësive për Veprimtari Publike nga 11 komuna) për të diskutuar për sfidat e organizimit të vitit të ardhshëm shkollor, si dhe për të diskutuar se si të forcohet roli i Këshillave Komunalë në të gjitha fushat e veprimtarive publike.

Si rezultat i këtij diskutimi u nxorën përfundimet dhe rekomandimet e mëposhtme:

– Ekziston nevojë për përfshirje më të madhe të përfaqësuesve të NJVL-ve në proceset konsultative të pushtetit qendror, si dhe në marrjen e vendimeve për çështje që lidhen me fillimin e vitit të ri shkollor;

– Ministria e Arsimit duhet të përgatisë më shumë skenarë për fillimin e vitit të ri shkollor, nga të cilat secila komunë do të zgjedhë skenarin më të përshtatshëm për të;

– Në bashkëpunim me komunitetin e donatorëve në vend, pushteti qendror duhet t’i mbështesë komunat dhe shkollat në sigurimin e parakushteve të nevojshme për zhvillimin e orëve online (laptopë, lidhje interneti, etj.);

– Komunave duhet t’u ndahen fonde shtesë për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor, pasi respektimi i protokolleve aktuale për mbrojtje nga Kovid-19 gjeneron shpenzime të reja dhe më të larta për komunat;

– Ministria e Arsimit duhet t’i lehtësojë procedurat për angazhimin e kuadrit të ri në fushat deficitare dhe ta lehtësojë mobilitetin e punonjësve midis shkollave;

– Ekziston nevoja për ndryshimin e formulës për llogaritjen e bllok-dotacioneve të destinuara për komunat në fushën e arsimit. Formula aktuale duhet të ndryshohet, dhe llogaritjet duhet të bëhen duke u bazuar në numrin e nxënësve në komunë/shkollë.

Grupi tematik i punës për veprimtaritë publike është pjesë e shtatë grupeve tematike të këshilltarëve komunalë të formuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”.