Komuna e Bogdancit do të marrë mbështetje për rregullimin e një këndi sportiv dhe rekreativ për shumë qëllime për fëmijë dhe të rinj

Në kuadër të projektit zviceran “Fuqizimi i Këshillave Komunalë” që zbatohet nga UNDP-ja, Komuna e Bogdancit zhvilloi një seancë shtesë të forumit ku qytetarëve iu mundësua të zgjedhin edhe një iniciativë tjetër për t’u realizuar me fondet e mbetura, të cilat komuna i mori duke marrë pjesë në këtë projekt.

Gjatë vitit 2020, Komuna e Bogdancit zhvilloi Forume në bashkësi, ku përmes katër seancave të forumeve qytetarët dhe organizatat joqeveritare të kësaj komune patën mundësinë të krijojnë, diskutojnë dhe vendosin për iniciativat prioritare që do të implementoheshin në komunë me mbështetje financiare prej 50,000 frangash nga projekti për Fuqizimin e Këshillave Komunalë.

Përmes katër seancave të forumit, qytetarët e komunës së Bogdancit i dhanë përparësi iniciativës “Qytetar i sigurt – Qytetar i lumtur”, e cila tashmë është implementuar plotësisht dhe përfshinte një numër aktivitetesh për rregullimin e regjimit të trafikut dhe vendosjen e shenjave të trafikut në komunë. Vlera e përgjithshme e kësaj iniciative ishte 2,155,414 denarë.

Duke pasur parasysh se për realizimin e kësaj iniciative Komuna e Bogdancit nuk e përdori plotësisht grantin prej 50,000 frangash zvicerane, më 15 shkurt u organizua një seancë shtesë e forumit ku qytetarët i shqyrtuan iniciativat e mbetura dhe e identifikuan si prioritare iniciativën “Rregullimi i një këndi sportiv dhe rekreativ për shumë qëllime për fëmijë dhe të rinj”, të cilat do të zbatohen me fondet e mbetura nga granti i projektit, si dhe me bashkëfinancim nga ana e komunës.

Realizimi i kësaj iniciative do të vazhdojë në muajt e ardhshëm dhe parashikon aktivitete për rregullimin hapësinor dhe pajisjen me pajisje për sport dhe rekreacion të fëmijëve dhe të rinjve.

Për më tepër, komuna e Bogdancit do të përpiqet gjatë vitit me fondet e saj ta zbatojë edhe iniciativën e renditur në vendin e tretë që rezultoi nga Forumet në Bashkësi: “Pajisja dhe rregullimi i parterëve të shtëpisë së kulturës në Stojakovë”.

Komuna e Bogdancit është një nga 24 komunat e përfshira në projektin “Fuqizimi i Këshillave Komunalë” përmes të cilit përmirësohen kapacitetet e këshilltarëve komunalë në vend, dhe gjithsej 1.2 milion franga zvicerane janë të destinuara për grante për zbatimin e iniciativave prioritare në të gjitha komunat pjesëmarrëse.