Nëntë komuna përzgjodhën projekte përmes Programit për Fuqizimin e Këshillave Komunalë

Përmes Forumeve në bashkësi që u mbajtën në Bërvenicë, Mogillë, Kumanovë, Zhelinë, Gostivar, Strugë, Koçani, Kavadar dhe Qendër, qytetarët e këtyre komunave, së bashku me përfaqësuesit e pushtetit lokal, i përzgjodhën projektet që do të zbatohen në komunitetet e tyre në tetë muajt e ardhshëm.

Gjatë katër sesioneve të forumit që u mbajtën në periudhën prej qershorit deri në nëntor të vitit 2019, me propozim-iniciativa për realizimin e projekteve prioritare, përveç qytetarëve, u paraqitën edhe organizatat qytetare dhe rinore, sektori i biznesit, si dhe përfaqësuesit e arsimit dhe mbrojtjes sociale.

Pas iniciativave të propozuara dhe diskutimit për secilën prej tyre, pjesëmarrësit e Forumeve i zgjodhën projektet për realizimin e të cilave janë parashikuar 50.000 franga zvicerane për secilën komunë. Projektet e përzgjedhura janë dizajnuar në atë mënyrë që i adresojnë në mënyrë të barabartë nevojat e burrave dhe grave dhe grupeve të ndryshme etnike në komuna dhe synojnë t’i përmirësojnë shërbimet sociale për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve, me fokus të veçantë në arsimin (shkollat fillore dhe çerdhet), kulturën dhe sportin.

Kështu, në komunat e Bërvenicës, Mogillës, Kumanovës dhe Zhelinës, do të realizohen projekte për rikonstruimin e disa shkollave fillore dhe përmirësimin e kushteve për mësim. Në komunën e Gostivarit, Strugës dhe Koçanit, do të ndërtohen qendra sportive-rekreative, ndërsa në komunën e Kavadarit  do të implementohet projekt përmes të cilit do të përmirësohet siguria dhe do të rregullohen oborret në katër çerdhe.

Në komunën Qendër, pjesëmarrësit e Forumeve mbështetën projekt me të cilin do të krijohen dhoma senzorike të dedikuara për fëmijët me aftësi të kufizuara në tre çerdhe, si dhe do të hapet qendër e re rinore në komunë.

Aktualisht, janë duke u përfunduar projektet që u përzgjodhën në gjashtë komunat e para të përfshira në programin për Fuqizimin e Këshillave Komunalë.

Nga mesi i këtij viti do të organizohen Forume në bashkësi në nëntë komuna të cilat u përfshinë në program para pak kohësh, përmes të cilave qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin projekte prioritare për zbatimin e të cilave, gjithashtu është paraparë mbështetje financiare prej 50.000 franga zvicerane për secilën komunë.

Forumet në bashkësi janë pjesë përbërëse e programit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim “Fuqizimi i Këshillave komunalë” në 24 komuna, me vlerë të përgjithshme prej 3.4 milion frangash zvicerane, i cili zbatohet nga ana e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në bashkëpunim me partnerë kombëtarë dhe lokalë.

Gjithsej 1.2 milion franga zvicerane janë ndarë për grante të vogla që kanë për qëllim realizimin e iniciativave prioritare në të gjitha 24 komunat që marrin pjesë në program.