Në Shkup, mbi 150 kryetarë komunash dhe kryetarë të këshillave komunalë diskutuan për avancimin e decentralizimit

Më 21 dhe 22 nëntor në Shkup u mbajt Konferenca vjetore për decentralizimin dhe qeverisjen lokale: “Forcimi i komuniteteve – impuls i ri për decentralizimin”.

Konferenca u hap nga kryeministri Zoran Zaev, ndërsa në të morën pjesë edhe ministri i vetëqeverisjes lokale, Goran Milevski, kryetari i BNJVL-së dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, ambasadori i BE në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Samuel Zhbogar, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në vendin tonë, Narine Sahakjan, kryetarë të komunave nga rajoni, si dhe mbi 150 kryetarë komunash dhe kryetarë të këshillave komunalë nga vendi.

Qëllimi i konferencës ishte shkëmbimi i mendimeve për përmirësimin e sistemit të pushtetit lokal përmes thellimit të decentralizimit dhe transferimit të kompetencave të reja nga niveli qendror në atë lokal.

Në konferencë, në mes tjerash, e prezantua edhe propozim-raporti për realizimin e Programit për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe decentralizim 2015 – 2020, raporti vjetor për të ardhurat dhe shpenzimet e komunave në vend, si dhe rezultatet e anketës më të re për kënaqësinë e qytetarëve nga shërbimet lokale.

Përveç të dhënave dhe raporteve për statusin e decentralizimit në vend, në ngjarjen dy-ditore në Shkup u organizuan disa diskutime në panel, ku kryetarët e komunave – mysafirë nga rajoni prezantuan praktika të mira në përdorimin e inovacioneve në vetëqeverisjen lokale, zgjidhje të qëndrueshme për zhvillim lokal dhe përdorimin e bashkëpunimit ndërkomunal si një mënyrë efikase për të përmirësuar efikasitetin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët. Përveç këtyre temave, në diskutimet në panel u trajtua edhe barazia gjinore në nivel lokal, veçanërisht në lidhje me rolin e grave në zhvillimin lokal dhe pjesëmarrjen e tyre në procesin e hartimit të politikave në nivelin lokal.

Konferenca dy-ditore “Forcimi i komuniteteve – impuls i ri për decentralizimin” është pjesë e projektit “Përmirësimi i qeverisjes lokale”, të cilin e zbaton UNDP-ja dhe mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian.