Gjithsej 80 këshilltarë nga 6 komuna përfunduan me sukses fazën e parë të trajnimit për ngritjen e kapaciteteve të këshilltarëve komunalë

Me trajnimin e kryer për këshilltarët e komunave të Ohrit dhe Çairit mbi kontrollin financiar dhe auditimin në qeverisjen lokale në fundjavë ka përfunduar faza e parë e Programit për zhvillimin e kapaciteteve të këshilltarëve komunalë.

Nëpërmjet trajnimeve të ofruara nga një ekip i ekspertëve gjatë tre muajve të fundit, gjithsej 80 këshilltarë nga komunat e Velesit, Sveti Nikoles, Vallandovës, Strumicës, Çairit dhe Ohrit të kanë përmirësuar njohuritë e tyre mbi tema të menaxhimit të financave publike në komuna, duke fituar aftësi të reja për të forcuar rolin e këshillave mbi qeverisjen e mirë në nivel lokal.

Cair - Ohrid 1

Faza e dytë e Programit për zhvillimin e kapaciteteve të këshilltarëve komunalë vazhdon në shtator, dhe këshilltarët e këtyre gjashtë komunave do të marrin trajnim për tema që lidhen me risi në menaxhimin, bashkëpunimin ndërkomunal, planifikimin hapësinor dhe urban, menaxhimin e burimeve njerëzore, bashkëpunimin ndër-etnik dhe barazinë gjinore në nivel lokal.

Trajnimet janë pjesë e Projektit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim “Fuqizimi i këshillave komunalë”, me një vlerë totale prej 3.4 milionë franga zvicerane, që e zbaton Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në bashkëpunim me partnerë kombëtarë dhe lokalë.

Në dy vitet e ardhshme, ky projekt do të përfshijë 18 komuna shtesë që do të përzgjidhen përmes thirrjeve publike.

Përveç trajnimit të këshilltarëve, gjithsej 1.2 milion franga zvicerane janë rezervuar për grante të vogla për zbatimin e iniciativave prioritare në të gjitha 24 komunat që do të marrin pjesë në projekt.